INTERVISTË me Mimoza Sali-Poete



Intervistoi Arsim Halili për gazetën kulturore Kosova

Mimoza Sali ka lindur me 10.04.1973 në Durrës, Shqipëri. Ka mbaruar shkollën Pedagogjike të Gjuhëve të Huaja në Shqipëri dhe më pas, ka përfunduar studimet për Multikulturat në Itali. Punon për të drejtat e emigrantëve në Itali, gazetare në gazetën kulturore “di tutti i kolori” në Cuneo.
Në 1996 ka botuar në Itali, një libër me poezi italisht “il vento della fortuna”Në Tiranë boton librin me poezi në tre gjuhë: “Lëkura e gjarprit” Shqip, italisht, anglisht.
Është fituese e dy çmimeve të para dhe të dyta në takime letrare në Itali, është vlerësuar me çmim të parë, në takimin e poeteshave të diasporës, maj 2009 në Kosovë.
Poezitë e Mimozës janë përfshirë në antologjitë letrare në Itali, si “Nutorevelli”, “Cosi è la vita” dhe në Greqi.



Pyetje: Mimoza ç’thoni ju për poezinë, çka do të thotë poezia për ju?

Përgjigje: Pasioni për poezinë ka qenë për mua një ëndërr e e paarritshme...
Fatkeqësisht fëmijëria ime ka kaluar me shume probleme të rënda morale, shpirtërore dhe njerëzore.
Unë kam qenë vetëm një fëmijë 2 vjeçare, që kur kam filluar të flas fjalët shqip, kam mësuar e imponuar nga sistemi më i egër komunist në Shqipëri, fjalët: Polic, burg, internim, varfëri!
Këto fjalë të pakuptimta, për mua atëherë (kur isha vocërrake) u akumuluan brenda koshiencës dhe subkoshiencës sime si një betejë mes diellit dhe errësirës....
Dhe sot që kam arritur të botojë dy libra me poezi, me duket se ëndrrat e mia ishin vetëm përralla...
Prindërit e mi më tregonin se unë isha një vajzë shumë e urtë dhe e ndjeshme. Isha fëmija më i vogël i familjes sime prej 11 anëtarësh. Vëzhgoja me kujdes çdo detaj në jetën e vështirë politike-sociale të familjes sime, që tashmë janë të regjistruara thellë në memorien time dhe
këto anomali të jetës fëmijërore janë shndërruar në ditarë refleksionesh poetike, brenda shpirtit tim të trazuar që nga fëmijëria.
Kjo për mua është poezia ime!

Pyetje: Vini me orgjinë çame, jeni pjesë peizazhit poetik Durrësit, jeni shkolluar në Shkodrën e poetëve më të mirë të letërsisë shqipe, jetoni në Itali një shtet model për art, a janë të gjitha këto gërshetim që edhe ju ta keni pasion artin krijues?

Përgjigje: Po të dy prindërit e mi janë nga Çamëria, unë kam lindur në qytetin e Durrësit, por siç thashë më lart, kam jetuar në një fshat bregdetar të këtij qyteti deri në moshën 15 vjeç (aty mbarova dhe arsimin 8 vjeçar) kur në Shqipëri ndryshoi sistemi totalitar. Më pas shkova për studime në Shkodër në Shkollën Pedagogjike të Gjuhëve të Huaja, ku mësova të dua dhe të dashurojë artin, poezinë. Shkodra për mua është djepi i artit dhe poezisë shqipe. Tani jetoj dhe punojë në Itali, jam shtetase italiane. Eksperiencat e hidhura dhe kulturat e qytetërimit kanë ndikuar tek unë për ta dashur shumë artin dhe të sprovojë për të qenë pjesë e tij.

Pyetja: Sa arrin Mimoza, t’i kanalizoj të gjitha punët, duke e ditur se jeni e angazhuar edhe në sfera të tjera?

Përgjigje: Të shkosh në një vend të panjohur që e ke dëgjuar vetëm si emër në gjeografi, dhe të provosh të jetosh atje, nuk është e lehtë. Kam punuar shumë dhe kam punuar dhe si kameriere me njerëzit e shumtë që kalonin nëpër lokale dhe të hidhnin një sy nga koka tek këmbët duke thënë me shikimin e tyre, hm ti je thjesht kameriere, Për tu shkolluar në Itali dhe ende vazhdojë të punojë dhe të studiojë. Mendoj se kam shumë për të mësuar, këto janë sfida për tu plotësuar profesionalisht.


Pyetje: Jeni fituese i disa çmimeve për krijimtarinë tuaj, cila është ndjenja e juaj për këto vlerësime?

Përgjigje: Është një stimul inkurajues për të ecur në rrugën magjike dhe të vështirë të poezisë.

Pyetje: Përveç krijimtarisë artistike, ku e gjen veten Mimoza në përditshmërinë tjetër?

Përgjigje: Jeta në vend të huaj është e vështirë, siç të thashë pak më lart. Dua vendlindjen time por dhe respektoj shumë shtetin ne te cilin jetoj, është bërë tashmë shtëpia ime e dytë. Por krahas punës ditore unë merrem me shuam aktivitete kulturore që organizojnë shqiptarët në veri të Italisë, gjithashtu me aktivitete të ndryshme të italianëve, ku unë shpesh jam e ftuar të drejtojë këto takime, jam misionare e një grupi italian në ndihmë të fëmijëve të varfër në Afrikë, gjithashtu vazhdoj të frekuentojë kurse private për kultura të ndryshme këtu në Itali.

Pyetje: Çka e veçon Mimozën që të ndjehet krenar me atë bagazh intelektual që është?
Përgjigje: Unë vazhdoj të plotësojë veten time me dije dhe kulturë dhe nuk do rresht asnjëherë te pasurohem me to.

Pyetje: Jeni feministe apo jeni liberale ndaj dy gjinive?
Përgjigje: Nuk jam feministe fanatike, thjesht reagoj në bazë të realitetit.

Pyetje: A ju bënë diçka të irritoheni kur të vini në Shqipëri dhe çfarë ju bënë të ndjeheni e lumtur për vendin tuaj?

Përgjigje: Shqipëria është vendi më i bukur në botë. Ka resurse natyrore magjike, ka një popull me tradita, ka një kulturë të admirueshme, por keqmenaxhohen këto bukuri përrallore. Bregdetet shqiptare janë shndërruar në provinca të populluara që vetëm vend turistik s’mund të quhet dhe kjo më irriton shumë.
Më shqetëson fakti se një popull i mençur dhe krijues si ne shqiptarët investon diturinë në vende të huaja, sepse e shoh të paarritshme rikthimin në vend me një gjendje të tillë ekonomike dhe politike.

Pyetje: Konsideroni se femra shqiptare, trajtohet e barabartë me gjininë e kundërt, nëse jo ku i shihni defektet?

Përgjigje: Jo! Ne që jetojmë në perëndim e kemi të zorshme të ambientohemi me mentalitetin maskilist të burrave ndaj grave në vendin tonë, megjithëse shohim ndryshim të madh në këto 20 vjet, pasi gruaja në Shqipëri tenton të jetë pjesë e vendimmarrjeve të ndryshme që nga politika e deri në biznes.

Pyetje: Me gjithë ngarkesat ditore, bëni plane për krijimtarinë tuaj, apo kjo mbetet e rastit për ju?

Përgjigje: Unë nuk bëj asnjë plan se kur do të shkruaj dhe çfarë do të shkruaj. Krijimi tek unë vjen pa më pyetur, më zgjon nga gjumi, më detyron të ndalojë makinën kur jam në udhëtim dhe të shkarravis në letër atë që mendoj.

Lexuesit tanë presin në përmbyllje të intervistës të shtoni diçka, për atë që nuk e keni thënë lartë?

Përgjigje; Përshëndes të gjithë lexuesit e kësaj reviste, kam kënaqësinë të përcjell një pjesë të mendimeve të mia mes jush, duke patur dëshirën t'ju informoj më tej për krijimtaritë e mia artistike.
Ju uroj mbarësi dhe shëndet kudo që ndodheni bashkatdhetarët e mi.

Intervistoi Arsim Halili