Pershendetje poetike nga Mimoza Sali



                                                                               POEZI- Ëndërrime dhe verë !

Nga MIMOZA SALI

Simfoni e gruas së dashuruar

Pasqyra ime është pikturuar
në copëza frymësh, si stuhi e papritur...
që kërkon një copëz diell
Të fsheh sytë e lëngëzuar...
Nën rrugëtimin e pemëve
të sapoçelura ...

Pasqyra ime vegël muzikore
ku dëgjon tinguj drurësh vjeshtorë
ku luan me gishtërinjtë e erës
nëpër telat e flautit ....
Ku dëgjon simfoninë e gruas së dashuruar
"Po digjet nata nga dëshirat..."
Nën hije të pasqyrës,
Unë luaj me hirin e pasionit,
kërkoj gacën e ndezur
të puthjes nën qiell të rimtë.

Pasqyra ime petal trëndafili,
që zhvishet hirshëm
prej këmishëzës së petaleve.






Kërkoj paqe, diell, lule

Përpëlitem si një gjethe e hutuar dimri
Që rënkoj nën kthetrat e diellit të zi
Më është vrarë dashuria, po vuan njerëzimi

Mëngjeseve, mbrëmjeve kronika të zeza
Nga klithma e tokës së përzhitur,
Ku shpërthejnë fije jete të përgjakura.

O dashuria ime sa shumë rënkon
Ditët e zymta ikin të mbledhura lëmsh
E vijnë rreth vajit të nënave e grave...

Sa pak vlen jeta në këto net sterrë.
E gjithë bota ngujohet para ekranit
Në Shekullin e XXI, shohim veç viktima...

Zemra ime prej gruaje digjet nga dhimbje e apelon:
Mjaftë më me luftë, mos i vrisnin dashuritë
Jeta është mbretëri e paprekshme,
Ndaj me zërin e grave kërkoj: paqe, diell, lule.